Skip to content

Kujdesi për lëkurat e yndyrshme

oily-skin6331

Hapi i parë
Për kujdesin e kësaj lëkure herë pas here, për 45 ditë, një here në çdo 4 muaj e gjysmë, mund të përdoret për larje thjesht ujë me sapun.
Fytyra lahet derisa midis dorës dhe lëkurës të mos ketë më rrëshqitje. Pacientëve të mi unë u shpjegoj që ndjesia duhet të jetë e njëjta me atë pasi ke larë shumë mirë një gotë qelqi.Nëse lëkura ka pore të vogla, për shpëlarje mund të përdoret ujë i ngrohtë, nëse jo atëherë vetëm ujë në temperaturën e dhomës.

Hapi i dytë
Në të dyja rastet, pas larjes rekomandohen shpëlarje me ujë të ftohtë apo një spërkatje me ujë termal. Nëse keni kohë dhe mundësi, një maskë me akull do të bënte mrekulli.

Hapi i tretë
Lëkura do të tamponohet me një solucion acid apo locion alkoolik acid.
Sasia e alkoolit duhet të jetë 30-40 %.

Hapi i katërt
Nëse lëkura ka pore të mëdha, rekomandohet një tamponim me locione astringjente (shtrënguese) si alaun apo thjesht një tamponim me pak lëng limoni të tretur në ujë, një lugë kafe në një filxhan kafe ujë.

Hapi i pestë
Nëse lëkura ka probleme më të rënda, atëherë do të përdoret një solucion me acid salicilik apo locion alkalin.

Hapi i gjashtë
Vendoset një krem fluid apo coldcream. Në mëngjes dhe gjatë ditës preferohet të jetë një fotoprotektor Spf 15-50 në formë fluide me tamponim.

Hapi i shtatë
Mbasi mbahet coldcream apo fotoprotektori fluid për 30 minuta, vendoset një letër higjienike për të përthithur yndyrën e kremit.

Hapi i tetë
Vendoset me shumicë një pudër absorbente (pudër e thatë përthithëse).

Hapi i nëntë
Në darkë 1 orë përpara gjumit minimalisht, mund të vendoset për 3-4 herë në javë një maskë e ftohtë me të bardhë veze, ose maskë me kaolin, maskë me tërshërë, etj.

Hapi i dhjetë 
Mbas heqjes së maskës, shpëlahet fytyra me ujë të ftohtë, mundësisht gjysmë të ngrirë.
Vendoset një coldcream për 20 minuta, përthahet me letër higjienike dhe fytyra pudroset përsëri me një pudër absorbent ose spraj me ujë trëndafili për femra dhe ujë termal apo ujë portokalli për meshkujt.
Pacienti duhet të jetë i vetëdijshëm se lëkura, mbasi ekuilibrohet, kërkon një përkujdesje tjetër. Në momentin që pacienti e kupton se lëkura e tij nuk ka më tendencë për të qenë e yndyrshme, konsultohet me një mjek dermatolog apo mund të lexojë artikujt në vazhdim për llojet e tjera të lëkurës.

Shkruar nga Dr. Rudina Thanasi

Related News